Rreth Pazarit të Korçës

  Pazari është një objekt me vlera të rëndësishme, historike, kulturore, artistike e monumentale të qytetit të Korçës, ai ishte pazari i parë i krijuar sipas një plani pas zjarrit të vitit 1879 i cili thuajse e rrafshoi tërësisht atë. Ky pazar dallohet për planin e tij arkitektonik dhe urbanistik duke krijuar kështu një ansambël më vete. Konstruksionet ishin të punuara me gurë ose tulla duke iu përshtatur edhe rrugëve të gjëra të shtruara me kalldrëm.

  Karakterizohet nga pazari i hapur, ansambli i dyqaneve-punishte, çarshia dhe hanet. Ansambli i dyqaneve, në dallim nga ata të qendrave të tjera shquhej për realizime arkitektonike më të arritura. Dyqanet ishin përgjithësisht dy apo trekatëshe, ku në kompozimin e tyre ndikonte edhe lloji i zejeve. Njësia e dyqanit dallohej për tre element të rëndësishëm në përbërjen e saj si, vendi i punës, pjesa e ekspozimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe vendi i depozitimit të lëndeve të para, kur ky i fundit shpesh përbënte njësi më vete.

  Ky pazar ka qenë i shquar për numrin e shumtë të haneve, të cilat ishin të ndërtuara përgjithësisht në periferi të pazarit. Ato janë ndërtuar njëkohësisht me pazaret dhe ishin dëshmi e prekshme e nivelit të zhvillimit ekonomik, vlen të veçohet Hani i Elbasanit, i ndërtuar si një kontur i mbyllur pesëkëndësh rreth një oborri të gjerë, në qendër të cilit është pusi. Këto hane i jepni gjallëri të gjithë pazarit të vjetër të qytetit të Korçës.